Mbi 200 mijë familje në Kosovë kanë përfituar nga pakoja e mbështetjes për energjinë e Bashkimit Evropian, në vlerë totale prej 75 milionë eurosh.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo mbështetje erdhi në një periudhë të vështirë të krizës energjetike dhe ndihmoi qytetarët të përballonin kostot e energjisë elektrike, duke krijuar njëkohësisht mundësi për kursime afatgjata.
Sipas saj, vetëm gjatë dimrit 2024–2025, rreth 85 mijë familje përfituan nga programi për konsumatorët e cenueshëm, ndërsa mbi 20 mijë familje që marrin asistencë sociale u mbështetën për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje.
Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës nuk synoi vetëm të lehtësonte pasojat e krizës, por edhe të investonte në masa që do të ulnin shpenzimet e energjisë në të ardhmen.
Në këtë kuadër, përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë janë zbatuar masa në sektorin rezidencial me vlerë prej 20 milionë eurosh, me synim përmirësimin e kushteve të banimit dhe uljen e konsumit të energjisë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, deklaroi se BE-ja ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999, duke vlerësuar se pakoja prej 75 milionë eurosh ishte një përgjigje e rëndësishme ndaj krizës globale energjetike, të përkeqësuar nga lufta në Ukrainë.
Ai bëri të ditur se programi, përveç mbështetjes së drejtpërdrejtë për familjet, ka kontribuar në rritjen e efiçiencës energjetike në dhjetëra mijëra shtëpi dhe mbi 150 biznese.
Sipas Schuebel, këto investime kanë ndihmuar në uljen e kostove të energjisë, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe institucioneve të Kosovës do të vazhdojë, me fokus te energjia e ripërtëritshme dhe ndërtimi i një sistemi energjetik më të qëndrueshëm.








