Bashkimi Evropian ka mirëpritur miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, deklaroi se ky vendim kontribuon në integrimin gradual të Kosovës në sistemin evropian të pagesave dhe në Tregun e Përbashkët të BE-së.
Sipas tij, anëtarësimi në SEPA do t’i bëjë pagesat dhe transfertat ndërkombëtare në euro më të shpejta, më të lehta dhe më të lira, duke ulur kostot për qytetarët dhe bizneset.
Schuebel e cilësoi miratimin e ligjit si një zhvillim pozitiv në procesin e përafrimit të Kosovës me standardet evropiane. Megjithatë, ai theksoi se anëtarësimi në SEPA është një proces më vete, i cili kërkon përmbushjen e kritereve përkatëse dhe përfundimin e procedurave të nevojshme.
Anëtarësimi do të lehtësonte transaksionet financiare ndërkufitare dhe do të krijonte kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset që kryejnë pagesa me vendet pjesëmarrëse në këtë sistem.








