SIGURIA KIBERNETIKE, PARAKUSHT PËR TRANSFORMIMIN DIGJITAL TË MALIT TË ZI

Foto: PR Centar

Siguria kibernetike, investimet në kuadro profesionale dhe bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe privat janë thelbësore për mbrojtjen e Malit të Zi dhe rajonit nga kërcënimet gjithnjë e më të sofistikuara digjitale.

Ky ishte mesazhi kryesor i panelit të mbajtur në kuadër të Samitit të Tetë Digjital të Ballkanit Perëndimor, në Herceg Novi.

Përfaqësuesi i Agjencisë për Siguri Kibernetike, Samir Orahovac, theksoi se sulmi kibernetik i vitit 2022 dëshmoi papërgatitjen e Malit të Zi për kërcënime të tilla, ndërsa nënvizoi se asnjë shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm këto sfida.

Ai rikujtoi se Mali i Zi ka miratuar ligjin e ri për sigurinë e informacionit, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe ka forcuar kapacitetet institucionale për mbrojtjen e sistemeve digjitale.

Pjesëmarrësit në panel theksuan gjithashtu rëndësinë e përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe hartimit të planeve për reagim ndaj sulmeve kibernetike.

U vlerësua se bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja e Bashkimit Evropian mbeten vendimtare për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.

SHARE