MILLATOVIQ U BËN THIRRJE DEPUTETËVE TË MBËSHTESIN NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të Kuvendit që të mbështesin ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se ato janë parakusht i rëndësishëm për mbylljen e një prej kapitujve të mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian.

Millatoviq deklaroi se përkushtimi ndaj rrugës evropiane duhet të dëshmohet me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

Ai kërkoi që ndryshimet kushtetuese të miratohen sa më shpejt, në mënyrë që Mali i Zi të përmbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti, të nënshkruajë Marrëveshjen e Anëtarësimit në BE gjatë vitit të ardhshëm dhe të nisë procesin e ratifikimit nga shtetet anëtare.

Duke komentuar debatin e zhvilluar në Kuvend për besimin ndaj kryetarit të Parlamentit, Millatoviq e vlerësoi atë si një hap pozitiv për demokracinë, pavarësisht se kryetari mbeti në detyrë.

Presidenti theksoi se faza përfundimtare e integrimit evropian kërkon përgjegjësi dhe angazhim të të gjithë aktorëve politikë.

SHARE