PROTESTA NË TIRANË, STUDENTËT DHE QYTETARËT KËRKOJNË DORËHEQJEN E RAMËS

Qindra studentë dhe qytetarë protestuan më 13 tetor në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të cilën e akuzojnë për korrupsion, keqqeverisje dhe mungesë perspektive për të rinjtë.

Protesta, e cila zgjati rreth nëntë orë, nisi para Ministrisë së Arsimit me kërkesa për kushte më të mira studimi, tarifa më të përballueshme dhe më shumë mundësi punësimi, por më pas u përshkallëzua në përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.

Protestuesit hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt institucioneve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Gjatë protestës, një grup protestuesish hyri edhe në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkaktuan dëme materiale.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 27 persona morën trajtim mjekësor pas protestës, mes tyre protestues, policë, gazetarë, kalimtarë dhe një diplomat i huaj.

Ndërkohë, mbi 50 persona u shoqëruan në polici.

Pas publikimit të pamjeve ku shihej një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar gjatë shoqërimit nga policia, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e rendit në një prej komisariateve të kryeqytetit.

Për rastin janë nisur hetime për të sqaruar rrethanat e lëndimit dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës.

Organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe bojkotin e mësimit, ndërsa kërkojnë largimin e qeverisë, formimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Protesta e 13 tetorit shënon një zgjerim të pakënaqësive, të cilat përtej problemeve në arsim, tashmë përqendrohen edhe te përgjegjësia politike e qeverisë.

SHARE