Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar amendamentet kushtetuese që parashikojnë kontrollin e integritetit të kandidatëve për kryeministër dhe ministra para propozimit të tyre, me qëllim identifikimin dhe eliminimin e rreziqeve të mundshme të konfliktit të interesit.
Sipas ndryshimeve të propozuara, kandidatët që refuzojnë t’i nënshtrohen kontrollit ose nuk eliminojnë rreziqet e konstatuara në përputhje me ligjin, nuk mund të propozohen për këto funksione.
Rezultatet e kontrollit do të publikohen dhe do të merren parasysh nga Kuvendi gjatë vendimmarrjes për zgjedhjen e Qeverisë.
Amendamentet parashikojnë gjithashtu se në postin e kryeministrit ose ministrit nuk mund të zgjidhet një person i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale me elemente korrupsioni.
Me këto ndryshime synohet rritja e transparencës, përgjegjësisë dhe integritetit në procesin e formimit të Qeverisë.









