KOSOVA KA AFAT DERI NË DHJETOR PËR TË PËRFITUAR 165.8 MILIONË EURO NGA BE-ja

Kosova ka rreth tre muaj kohë për të përmbushur 27 hapa reformash dhe për t’i raportuar Bashkimit Evropian për progresin e arritur.

Reformat, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të dhjetorit, lidhen me përfitimin e 165.8 milionë eurove nga fondet e BE-së.

Në një përgjigje për “KOHA”, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bëri të ditur se përmbushja e hapave të reformave deri në qershor është ende në proces vlerësimi.

“Siç e dini, Kosova mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht që të përmbushë reformat e përzgjedhura në kuadër të Agjendës së Reformave të miratuar, si dhe parakushtet dhe kushtet e përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nikola Gaon.

Ai theksoi se disbursimi i fondeve varet nga vlerësimi i përmbushjes së hapave të përcaktuar në Agjendën e Reformave, si dhe nga respektimi i kushteve të përgjithshme dhe parakushteve.

Po ashtu, Bashkimi Evropian pret që pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula të rivendoset stabiliteti institucional, duke i mundësuar Kosovës të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja, përfshirë Planin e Rritjes.

Në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili kap vlerën e gjashtë miliardë eurove, Kosovës i janë vënë në dispozicion mbi 800 milionë euro.

Afati për shfrytëzimin e këtyre mjeteve përfundon në verën e vitit 2027.

Në rast se vendet përfituese nuk i përmbushin reformat brenda afateve të përcaktuara, fondet përkatëse kthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Deri më tani, Kosova nuk ka përfituar asnjë disbursim të rregullt nga ky mekanizëm, përveç shumës prej 61.8 milionë eurosh të dhënë si parafinancim në prill të këtij viti.

SHARE