Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe deputetëve që deri më 15 tetor të përmbushin të gjitha detyrimet e mbetura evropiane, me qëllim që të mundësohet mbyllja e kapitujve të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Gjeloshaj theksoi se ka momente kur përgjegjësia ndaj shtetit kërkon që e ardhmja e tij të vendoset mbi çdo dallim politik.
“Ka momente kur përgjegjësia ndaj shtetit kërkon që të ardhmen e tij ta vendosim mbi gjithçka që na ndan. Mali i Zi sot ndodhet në një moment të tillë”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai u bëri thirrje subjekteve politike që, deri në përmbushjen e këtij objektivi, të lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të përqendrohen në qëllimin e përbashkët evropian.
Siç theksoi ai, Forumi Shqiptar është i gatshëm të japë kontributin e plotë në këtë proces, me mirëkuptimin e mbështetësve të tij, të cilët, sipas tij, kanë qenë gjithmonë në mbështetje të integrimit evropian dhe vlerave evropiane.
Sipas Gjeloshajt, është e rëndësishme që procesi të përmbyllet me sukses, në mënyrë që Qeveria e 44-të të përfundojë mbylljen e kapitujve të negociatave, ndërsa pas zgjedhjeve parlamentare, qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri i ri, të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë funksion mbi anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Gjeloshaj.









