KURTI I KËRKON PDK-së VOTA PËR SEJDIUN, PREMTON MIRATIMIN E LIGJIT PËR SPECIALEN

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar PDK-së që të sigurojë së paku gjysmën e votave të deputetëve të saj për kandidatin për president, Bekim Sejdiu, duke premtuar në këmbim se të enjten do të votohet në lexim të dytë projektligji për Dhomat e Specializuara.

Kurti tha se pjesën tjetër të votave për zgjedhjen e presidentit e kanë me LDK-në dhe kërkoi nga PDK-ja zotim publik për mbështetjen e kandidatit.

Ai theksoi se zgjedhja e presidentit është “emergjencë”, ndërsa miratimi i Ligjit për Specialen “urgjencë”, duke paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe të pamundësojë hartimin e një strategjie shtetërore për procesin në Hagë.

Kurti gjithashtu kritikoi kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, duke thënë se LVV-ja ka bërë katër hapa drejt PDK-së, ndërsa kjo e fundit nuk ka bërë asnjë hap në drejtim të tyre.

SHARE