GJELOSHAJ: TREGU MË I INTEGRUAR RAJONAL SJELL MË SHUMË MUNDËSI PËR INVESTIME

Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik / Ministarstvo ekonomskog razvoja

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, tha se një treg më i integruar rajonal nënkupton më pak pengesa, procedura më të parashikueshme, qarkullim më të lehtë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, si dhe më shumë mundësi për investime.

Ai ishte nikoqir i takimit ministror në kuadër të kryesimit të Malit të Zi me Procesin e Berlinit për vitin 2026, ku morën pjesë ministrat përgjegjës për ekonominë dhe tregtinë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit, Bashkimit Evropian dhe organizatave rajonale.

Gjeloshaj theksoi se gjatë 12 viteve të fundit Procesi i Berlinit ka kontribuar në lidhjen më të madhe ekonomike dhe institucionale të rajonit me BE-në, duke përmendur heqjen e roamingut, korridoret e gjelbra, SEPA-n, marrëveshjet për lehtësimin e lëvizjes dhe mjetet digjitale që lehtësojnë tregtinë.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian janë pjesë e të njëjtit proces, ndërsa një Ballkan Perëndimor më i integruar nuk është alternativë ndaj integrimit në BE, por pjesë e rrugës drejt tij.

Në takim u diskutua edhe për hapat konkretë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave për bizneset, rritjen e konkurrueshmërisë, tërheqjen e investimeve dhe afrimin gradual të ekonomive të rajonit me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian.

SHARE