Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, tha se Mali i Zi është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se ka mundësi që në muajt e ardhshëm të përfundojë procesin negociues.
Gjatë hapjes së takimit ministror të Procesit të Berlinit në Budvë, ai theksoi se Mali i Zi ka zbatuar reformat, ka harmonizuar legjislacionin dhe është i gatshëm për fazën e ardhshme të integrimit evropian.
Ibrahimoviq tha se rezultatet e vendeve që përparojnë në reforma duhet të njihen dhe se integrimi evropian duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Ai vuri theks të veçantë te bashkëpunimi rajonal dhe nevoja për të ndalur largimin e të rinjve nga Ballkani Perëndimor, duke krijuar kushte për punësim, hapjen e bizneseve, krijimin e familjeve dhe një jetë më cilësore.
Sipas tij, rruga evropiane e rajonit duhet të shoqërohet me një proces konkret të zgjerimit të BE-së, ndërsa vendet e rajonit duhet të forcojnë institucionet për t’iu përgjigjur kërcënimeve hibride, sulmeve dhe dezinformatave.









