Foto: Ilustrim
Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi, me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u bëri thirrje grave që të mos i shtyjnë kontrollet parandaluese dhe skriningun, duke theksuar se zbulimi i hershëm rrit ndjeshëm mundësitë për trajtim të suksesshëm.
Nga Ministria theksuan se kujdesi për shëndetin duhet të jetë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në tetor.
Kanceri i gjirit është forma më e shpeshtë e kancerit te gratë në nivel global, me rreth 2.3 milionë raste të reja në vit, ndërsa diagnostikimi në kohë mundëson trajtim më të hershëm dhe rrit mundësitë për shërim.
Ministria u bëri thirrje grave që gjatë këtij muaji të caktojnë kontrollin parandalues dhe t’i përgjigjen ftesës për skrining, duke theksuar se frika nga një rezultat i mundshëm nuk duhet të jetë arsye për shtyrjen e kontrollit.
Sipas tyre, kujdesi për veten dhe kontrollet e rregullta janë një investim në shëndet dhe në të ardhmen.









