Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Tiranë dhe konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi ka hapur grupkapitujt e fundit dhe ka mbyllur tre kapitujt e parë në korrik.
Ajo tha se anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta forcojë vetëm vendin, por edhe Bashkimin Evropian, ndërsa nënvizoi nevojën për vijimin e reformave, mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore, si dhe bashkëpunim përtej ndasive politike.
Von der Leyen vlerësoi gjithashtu mbështetjen e BE-së pas tërmetit të vitit 2019, duke përmendur rindërtimin dhe rikonstruksionin e 63 shkollave përmes programit të BE-së.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, ajo tha se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave të Planit të Rritjes, ka përfituar 213 milionë euro fonde dhe priten pagesa të tjera në javët në vijim.
Presidentja e KE-së përmendi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA dhe punën për uljen e tarifave të roamingut, duke i cilësuar këto si hapa që afrojnë më tej qytetarët dhe ekonominë shqiptare me tregun evropian.








