Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka deklaruar se reforma e vetëqeverisjes lokale nuk është çështje e vetëm një dikasteri apo e komunave, por një reformë gjithëpërfshirëse e shtetit, që synon shërbime më cilësore për qytetarët dhe përfshirje më të madhe të tyre në vendimmarrje.
Në konferencën “Reforma e vetëqeverisjes lokale në rrugën drejt BE-së”, ministri Dukaj tha se qëllimi është që marrëdhënia e institucioneve me qytetarët të kalojë nga “vendimmarrja për qytetarët” në “vendimmarrjen me qytetarët”.
Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do t’u sjellë komunave mundësi të mëdha zhvillimore dhe qasje në fondet evropiane, por edhe rregulla e procedura më të kërkuara, ndaj kapacitetet duhet të ndërtohen që tani.
Sipas tij, reforma pritet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët përmes shërbimeve digjitale, qasjes më të lehtë në shërbime, infrastrukturës më të mirë dhe përmirësimit të shërbimeve komunale, ndërsa synohet edhe rritja e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve në marrjen e vendimeve në nivel lokal.







