Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare do ta marrë pas konsultimeve me përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me deklaratën e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, se zgjedhjet mund të mbahen pas gjashtë muajsh, Millatoviq tha se nuk dëshiron të komentojë motivet apo informacionet e aktorëve të tjerë politikë, por theksoi se do të zhvillojë takime me të gjitha partitë para se të vendosë për datën e zgjedhjeve.
Ai kujtoi se përbërja aktuale e Kuvendit është konstituuar në vitin 2023 dhe se vitin e ardhshëm hyhet në periudhën kur, sipas afateve kushtetuese dhe ligjore, duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Millatoviq tha se një nga temat e konsultimeve do të jetë edhe mundësia që zgjedhjet parlamentare të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale ose veçmas.
Presidenti paralajmëroi gjithashtu se reforma zgjedhore ende nuk është përfunduar, duke e cilësuar këtë si një problem serioz institucional që kërkon reagim urgjent nga Kuvendi.
Sipas tij, nëse zgjedhjet do të duhej të shpalleshin menjëherë, aktualisht nuk do të ekzistonte një institucion që do të mund t’i organizonte ato, gjë që e konsideroi të papranueshme.
Millatoviq u bëri thirrje deputetëve që pa vonesë të përfundojnë reformën zgjedhore dhe të sigurojnë kushte për mbajtjen e rregullt të zgjedhjeve të ardhshme.








