MONSTAT: PAGA MESATARE NË GUSHT ARRITI NË 1.040 EURO

Foto: Shutterstock

Paga mesatare neto në Mal të Zi gjatë muajit gusht ishte 1.040 euro, duke shënuar rritje prej 0.3 për qind krahasuar me muajin korrik dhe prej 2.5 për qind në raport me gushtin e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Monstatit.

Paga mesatare bruto në gusht ishte 1.240 euro.

Megjithatë, për shkak të rritjes së çmimeve të konsumit prej 1.2 për qind gjatë gushtit krahasuar me korrikun, pagat reale shënuan rënie prej 0.9 për qind.

Rritja më e madhe e pagave neto u regjistrua në sektorin e shërbimeve të tjera me 2.1 për qind, pasuar nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 1 për qind dhe administrata publike e mbrojtja me 0.9 për qind.

Rritje pati edhe në sektorët e furnizimit me ujë, energjisë, arsimit, financave, industrisë përpunuese, tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimeve ushqimore.

Në anën tjetër, pagat ranë më së shumti në aktivitetet artistike, argëtuese dhe rekreative, me 2.2 për qind, ndërsa rënie u shënuan edhe në bujqësi, pylltari, peshkim, informim e komunikim, ndërtimtari dhe disa sektorë të tjerë.

SHARE