Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka miratuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e afatit për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sipas vendimit, si mbrojtja ashtu edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë afat deri më 27 nëntor 2026 për të dorëzuar njoftimet lidhur me hapat që do të ndërmarrin në shkallën e dytë.
Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor 2026, duke argumentuar se aktgjykimi i shkallës së parë është jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks, ndërsa përkthimi i tij në gjuhën shqipe ende nuk ka përfunduar.
Sipas mbrojtjes, pamundësia e të akuzuarve për ta lexuar aktgjykimin në shqip dhe nevoja për angazhimin e burimeve të konsiderueshme në përkthim e vështirësojnë përgatitjen e njoftimit për apel.
Gjykata ka udhëzuar gjithashtu Zyrën e Regjistrimit që të raportojë mbi ecurinë dhe afatin e përfundimit të përkthimit të aktgjykimit në shqip, ndërsa mbrojtjes i është kërkuar që brenda dhjetë ditësh të dorëzojë një version publik të redaktuar të kërkesës së saj.







