Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka rikthyer debatin për të ardhmen e marrëdhënieve të Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, duke mos përjashtuar as mundësinë e rikthimit të vendit në bllok.
Në një intervistë për BBC, Burnham tha se duhet të shqyrtohen të gjitha alternativat, nga ruajtja e marrëdhënieve aktuale me BE-në, krijimi i një bashkimi doganor dhe rikthimi në tregun e vetëm, deri te anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian.
“Jam shumë i qartë dhe do ta them troç: Brexit-i i ka shkaktuar Britanisë më shumë dëm sesa të mirë. Dhe mendoj se rreth 60 për qind e britanikëve pajtohen me këtë. Prandaj pyetja është: çfarë bëjmë tani? Unë po tregoj sinqerisht se duhet ta përballojmë këtë realitet dhe t’u japim njerëzve alternativa, në mënyrë që ata t’i shqyrtojnë dhe të gjykojnë vetë”, tha Burnham.
Ai theksoi se çdo alternativë duhet të vlerësohet në bazë të avantazheve dhe disavantazheve që sjell.
“Besoj se një pjesë e rindërtimit të Britanisë është eliminimi i kësaj pasigurie dhe krijimi i një platforme më të fortë, që t’u japë njerëzve më shumë siguri për të investuar në këtë vend. Dhe ndoshta është pikërisht realiteti me pesë parti në të cilin ndodhemi sot ai që po e sjell këtë çështje në plan të parë”, u shpreh Burnham.
Britania votoi për Brexit-in në vitin 2016, duke vendosur largimin nga Bashkimi Evropian pas më shumë se katër dekadash anëtarësim.
Procesi i daljes u përmbyll në vitin 2020, ndërsa nga viti 2021 Britania nuk është më pjesë e tregut të vetëm dhe bashkimit doganor të BE-së.
Ndërkohë, qeveria britanike po shqyrton një marrëdhënie të re dhe më afatgjatë me Bashkimin Evropian, në një kohë kur debati për pasojat dhe të ardhmen e Brexit-it vazhdon të jetë pjesë e diskutimit politik në vend.







