MILLATOVIQ: NUK DUHET THELLUAR KRIZA INSTITUCIONALE, PËR PROGRAMIN EKONOMIK DO TË DISKUTOJMË TË ENJTEN

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se kriza institucionale nuk duhet të thellohet më tej, duke komentuar situatën e krijuar në Kuvend pas mosmbajtjes së seancës ku opozita kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq.

Millatoviq theksoi se çdo deputet ka të drejtë të ketë qëndrimin e tij, por vlerësoi se deputetët duhet të zhvillojnë debat dhe t’i paraqesin qëndrimet e tyre para publikut.

Ai tha se ndaj papërgjegjshmërisë institucionale nuk duhet përgjigjur me veprime të ngjashme, pasi kjo vetëm sa e thellon krizën dhe dëmton demokracinë parlamentare.

Duke folur për programin ekonomik “Euro model”, Millatoviq tha se të enjten do të zhvillohet një tryezë e rrumbullakët ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Millojko Spajiq, së bashku me aktorë të tjerë ekonomikë dhe shoqërorë.

Ai theksoi se është pozitive që programi ka rikthyer në fokus rritjen e pagave dhe pensioneve, por kërkoi përgjigje për mënyrën e financimit, politikën e pagave dhe qëndrueshmërinë e sistemit pensional.

Millatoviq kritikoi gjithashtu faktin që gjashtë ligjet e lidhura me programin u miratuan pa një debat të gjerë publik, duke thënë se këto çështje duhet të diskutohen hapur para se të kalojnë në procedurën parlamentare.

SHARE