Foto: ISHP / IJZ
Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi (ISHP) ka bërë thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në botë.
Sipas të dhënave të Federatës Botërore të Zemrës, këto sëmundje shkaktojnë çdo vit më shumë se 20.5 milionë vdekje në nivel global, ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë vdekje të parakohshme te personat nën moshën 70-vjeçare.
Në Mal të Zi, nga viti 2013 deri në vitin 2023, Regjistri i Sindromës Akute Koronare ka evidentuar rreth 9 mijë hospitalizime, ndërsa faktorët kryesorë të rrezikut kanë qenë mbipesha dhe obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe tensioni i lartë i gjakut.
Instituti thekson se te një numër i madh pacientësh janë evidentuar edhe kolesteroli i lartë, diabeti dhe përdorimi i produkteve të duhanit.
Sipas institutit, deri në 80 për qind e vdekjeve të parakohshme mund të parandalohen përmes masave në kohë, kontrolleve të rregullta dhe një stili të shëndetshëm jetese.
Në kuadër të Ditës Botërore të Zemrës, Instituti ka përgatitur edhe një ditar për matjen e tensionit të gjakut, për t’u mundësuar pacientëve të ndjekin rregullisht vlerat dhe t’u ofrojnë mjekëve të dhëna më të sakta për gjendjen shëndetësore dhe efektivitetin e terapisë.
Instituti këshillon ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik të rregullt, shmangien e duhanit dhe alkoolit, si dhe kontrollin e tensionit, sheqerit në gjak dhe nivelit të yndyrave.
Mesazhi i Ditës Botërore të Zemrës 2026 është “Don’t Miss a Beat – Çdo rrahje ka rëndësi”, me fokus në njohjen e shenjave të sëmundjeve kardiovaskulare dhe ndërmarrjen e masave për mbrojtjen e shëndetit të zemrës.









