RAMA NË BRUKSEL: SHQIPËRIA PO ZGJEROHET ME AEROPORTE TË REJA, SYNOJMË TURIZMIN LUKSOZ

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Samitin për Turizmin 2026, ku diskutohen zhvillimet dhe perspektivat e sektorit turistik.

Gjatë një interviste, Rama foli për rritjen e trafikut ajror në Shqipëri dhe investimet në infrastrukturën aeroportuale, duke deklaruar se Aeroporti i Tiranës është ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Ai bëri të ditur se së shpejti pritet të hapet Aeroporti i Vlorës, ndërsa po punohet edhe për një aeroport të tretë në jug të vendit. Rama tha se në Shqipëri po zhvillohet një rrjet gjithnjë e më i gjerë aeroportesh dhe përmendi edhe planet për një aeroport në zonën malore.

Sipas tij, Aeroporti i Tiranës ka përjetuar rritje të ndjeshme të fluturimeve, duke arritur në 329 fluturime brenda 24 orëve gjatë një dite të gushtit.

Kreu i qeverisë tha se rritja e turizmit sjell edhe sfida, veçanërisht për shkak të numrit të lartë të turistëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Për këtë arsye, ai theksoi se qeveria synon të tërheqë më shumë investime në turizmin luksoz, me qëllim rritjen e të ardhurave nga sektori dhe uljen e presionit mbi territorin.

Rama shtoi se vitet e fundit në Shqipëri janë prezente gjithnjë e më shumë marka të njohura ndërkombëtare të hotelerisë, ndërsa sipas tij, disa marka të mëdha kanë nënshkruar marrëveshje dhe pritet të investojnë në vend.

SHARE