KOMISIONI EVROPIAN PROPOZON KUFIZIMIN E TË DREJTAVE PËR ANËTARËT E ARDHSHËM TË BE-së

Komisioni Evropian pritet të propozojë ndryshime të rëndësishme në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, përfshirë kufizimin e përkohshëm të disa të drejtave të anëtarëve të rinj dhe kalimin nga unanimiteti në votimin me shumicë të cilësuar në disa fusha.

Sipas draftit të strategjisë që pritet të publikohet më 7 tetor, vendet e reja anëtare mund të zotohen që gjatë viteve të para të anëtarësimit të mos përdorin të drejtën e vetos në çështjet institucionale dhe në vendimet për zgjerimet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, Komisioni do të propozojë mekanizma të rinj mbrojtës financiarë dhe institucionalë, të cilët do të mundësonin pezullimin e përkohshëm të disa të drejtave në rast të shkeljeve veçanërisht të rënda ose rrezikimit të interesave financiare të BE-së.

Drafti parashikon gjithashtu ndryshime në funksionimin e institucioneve evropiane, përfshirë reduktimin e numrit të komisionarëve dhe rotacionin ndërmjet shteteve anëtare.

Një tjetër propozim është zgjerimi i përdorimit të shumicës së cilësuar në hapat e ndërmjetëm të procesit të zgjerimit, si hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, ndërsa unanimiteti do të ruhej për vendimin përfundimtar për pranimin e një vendi të ri në BE.

SHARE