BE PËRGATIT “HARTË RRUGE” TË VEÇANTË PËR MALIN E ZI DREJT ANËTARËSIMIT

Foto: BE

Bashkimi Evropian po përgatit “harta rruge” të veçanta për Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë, me hapa, prioritete dhe afate më të qarta drejt anëtarësimit, raporton Politico.

Sipas zyrtarëve të Komisionit Evropian, këto katër vende konsiderohen ndër kandidatët që kanë avancuar më shumë në procesin e integrimit, ndërsa dokumentet e reja do të përcaktojnë reformat që duhet të përmbushin dhe afatet e përafërta për përfundimin e grupeve negociuese.

Në këmbim, BE-ja synon t’u japë kandidatëve më të avancuar një perspektivë më të qartë për anëtarësim, nëse përmbushin reformat e kërkuara.

Për vendet e tjera kandidate, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën, për momentin nuk parashikohen harta të tilla.

Liderët e BE-së pritet ta diskutojnë procesin e zgjerimit dhe reformat e brendshme të Unionit në samitin e 15 tetorit.

SHARE