Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Deklarata u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa teksti i saj u harmonizua nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare. Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë për aktgjykimin e shkallës së parë.
Ai ngre shqetësime edhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët, si dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare.
Ai bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike. Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ajo thekson rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimin e saj me UÇK-në.
Kuvendi vlerëson gjithashtu se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi pranoi themelimin e tyre.
Deklarata kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë i cili përmbush standardet e kërkuara.








