VUÇIQ JEP DORËHEQJE NGA POSTI I PRESIDENTIT, SERBIA PARA ZGJEDHJEVE

Aleksandër Vuçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, duke përfunduar para kohe mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Ai tha se dëshiron të marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit si “qytetar i zakonshëm”. Deri në fund të dhjetorit Serbia duhet të mbajë edhe raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Aleksandër Vuçiq ka dhënë të dielën në mbrëmje dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, funksion të cilin e mbajti që nga viti 2017.

Para adresimit zyrtar, ai iu drejtua edhe qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Presidencës në Beograd. Më pas, në fjalimin e tij të fundit si president, tha se dorëheqja shënon hapjen e një kapitulli të ri politik për Serbinë.

“Sot është dita, të nderuar qytetarë, kur jap dorëheqje dhe, për herë të fundit në funksionin e presidentit të Republikës, do të përpiqem të them disa fjalë për kapitullin e ri që është para Serbisë dhe për atë që duhet të bëjnë ata që fitojnë besimin e popullit”, tha Vuçiq.

Ai më pas nënshkroi tekstin e dorëheqjes, duke iu referuar nenit 116, paragrafi 5, të Kushtetutës së Serbisë. Dorëheqja i dërgohet Kuvendit, ndërsa detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes e merr përkohësisht kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq.

Dorëheqja vjen më pak se një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Vuçiq ka shpjeguar se dëshiron të marrë pjesë në fushatë si qytetar, ndërsa është bartës i listës “Aleksandër Vuçiq – Serbia e Bashkuar”.

Ai konfirmoi se Serbia, pas zgjedhjeve parlamentare, do të hyjë edhe në një proces të ri zgjedhor presidencial.

“Deri në fund të dhjetorit do të duhet të kemi zgjedhje presidenciale, raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa para kësaj, siç e dini, më 25 tetor kemi zgjedhjet parlamentare”, tha Vuçiq.

SHARE