Foto: Boris Pejović
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, do ta vizitojë Malin e Zi më 1 tetor, ku do të zhvillojë takime me presidentin e vendit, Jakov Millatoviq, dhe kryeministrin Millojko Spajiq.
Kjo do të jetë vizita e saj e gjashtë radhazi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë vizitës në rajon, Von der Leyen pritet të fokusohet në hapat e ardhshëm të partnerëve drejt Bashkimit Evropian dhe në progresin e deritanishëm në procesin e integrimit gradual, me mbështetjen e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Përveç Podgoricës, ajo do të vizitojë edhe Tiranën, Prishtinën dhe Shkupin.
Nga Komisioni Evropian është bërë e ditur se, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe të përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, vizitat në këto dy vende do të zhvillohen në një moment të mëvonshëm.









