Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka deklaruar se vendi ka hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pas tre vitesh punë intensive në integrimin evropian.
Spajiq tha se vizita në Podgoricë e anëtarëve të Grupit Punues të Këshillit për Zgjerimin (COELA) dhe të grupit që përgatit Traktatin e Anëtarësimit të Malit të Zi në BE, shënon një moment të rëndësishëm në këtë proces.
Sipas tij, vetë përgatitja e Traktatit të Anëtarësimit është po aq e rëndësishme për Malin e Zi sa edhe për Bashkimin Evropian.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu se situata aktuale gjeopolitike krijon hapësirë që politika e zgjerimit të BE-së të marrë një rol edhe më të rëndësishëm dhe të shërbejë si një instrument i fuqishëm për transformim.
Spajiq kujtoi se këtë vjeshtë shënohen 18 vjet nga fillimi i rrugëtimit evropian të Malit të Zi, duke shprehur shpresën se kjo periudhë do të shënojë edhe pjekjen e plotë të idesë për një Mal të Zi evropian dhe një Evropë më të fortë e më të bashkuar.









