Foto: Borut Zivulovic / Reuters
Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Malin e Zi, Marjan Sharec, tha se deputetët nuk mund të detyrohen të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe të votojnë, duke theksuar se edhe mungesa në seancë përbën një vendim politik.
Duke komentuar mosmbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Malit të Zi, ku duhej të diskutohej shkarkimi i kryetarit të parlamentit, Andrija Mandiq, Sharec tha se nuk do ta përshkallëzonte situatën dhe se opozita nuk duhet të heqë dorë nga qasja konstruktive ndaj integrimit evropian.
Ai theksoi se opozita ka të drejtë të kritikojë dhe të reagojë, ndërsa shumica parlamentare ka të drejtë të mos pajtohet me të dhe të vendosë nëse do të marrë pjesë në votime.
Sipas Sharec, integrimi evropian është veçanërisht i rëndësishëm në këtë periudhë, ndërsa koha për përparimin e Malit të Zi drejt BE-së po ngushtohet.
Ai shprehu pritjen që opozita të mbështesë çështjet e agjendës evropiane kur për miratimin e tyre kërkohet shumicë e gjerë parlamentare.
Duke folur për vendimin e Mandiqit për të mos hapur seancën dhe për të mos mundësuar transmetimin e saj, Sharec tha se kjo ishte kompetencë e kryetarit të Kuvendit, por shtoi se ai personalisht nuk do të kishte vepruar në të njëjtën mënyrë.
Sharec u bëri thirrje aktorëve politikë që të ulin tensionet dhe të fokusohen në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se zhvillimet e fundit duhet të shërbejnë si mësim për veprimet e ardhshme.
Ai foli edhe për vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke theksuar se vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen pavarësisht përkatësisë politike apo kombëtare të të dënuarve.









