Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler, me të cilin ka diskutuar për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurti, përmes një postimi në platformën X, ka deklaruar se aktgjykimi përmban, sipas tij, “pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore”, duke shprehur pritjen që këto çështje të korrigjohen gjatë procedurës së apelit.
Ai ka kundërshtuar gjithashtu interpretimet lidhur me “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, duke thënë se këto pretendime nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës. Kurti ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe nuk mund të njolloset.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë dhe dënuan me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. T
ë katër ish-krerët e UÇK-së kanë paralajmëruar apelimin e aktgjykimit.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Lawlerin për anëtarësimin në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan dhe për bashkëpropozimin e një rezolute në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO.
Ata diskutuan edhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, si dhe mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në energji, teknologji dhe prodhim.
Në takim u diskutua edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurti tha se i ka kërkuar Lawlerit mbështetje për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, duke argumentuar se kjo ndikon në të drejtat e tyre të votimit dhe në qasjen në dokumentet zyrtare.
Sipas tij, në takim mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Kurtit në SHBA, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.








