Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka kërkuar që reforma në drejtësi në Shqipëri të mos ketë kthim pas, duke vlerësuar progresin e bërë me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, rikthimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbylljen e procesit të vettingut.
Gjatë takimit të 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, diplomatja europiane theksoi se konsolidimi i reformës duhet të vijojë me fokus te cilësia, llogaridhënia dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Sipas saj, rezultatet e arritura në këtë proces duhet të jenë të pakthyeshme.
Moreira de Sousa u bëri thirrje ligjvënësve që, pavarësisht nevojës për miratimin e shpejtë të legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit, kjo të mos bëhet në dëm të mbikëqyrjes parlamentare dhe konsultimit publik.
Ajo kërkoi që ligjet të jenë jo vetëm teknikisht të sakta, por edhe në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe realitetin ku do të zbatohen.
Ambasadorja e BE-së theksoi gjithashtu rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës të integrimit europian, ku të angazhohen të rinjtë, sektori privat dhe shoqëria civile.
Shqipëria synon të përmbyllë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027.








