Zyrtarët në Moskë kanë njoftuar një fitore të re rekorde për partinë Rusia e Bashkuar, të presidentit Vladimir Putin, në atë që Bashkimi Evropian i cilësoi si “zgjedhje farsë” më 21 shtator.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Rusia e Bashkuar mori gati 58 për qind të votave, duke fituar 355 nga 450 ulëset në Dumën Shtetërore, në zgjedhjet e para për këtë institucion që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Në një proces të menaxhuar në mënyrë të rreptë më 18-20 shtator, votuesit mund të zgjidhnin mes disa partive që të gjitha janë të miratuara nga Kremlini dhe mbështesin plotësisht Putinin. Rezultatet treguan se dhjetëra veteranë ushtarakë të luftës në Ukrainë tani do të jenë deputetë.
E vetmja parti që kundërshton luftën në Ukrainë, Yabloko, u përjashtua nga zgjedhjet. Lideri i saj, Nikolai Rybakov, shkroi “për paqe” në fletën e votimit me një marker të ndritshëm dhe pozoi me të për fotografët në një qendër votimi në Shën Petersburg.
“Goditje për demokracinë ruse”
Pjesa më e madhe e opozitës politike të Rusisë tani ndodhet në burg ose në mërgim. Dmitry Gudkov, i cili bën pjesë në grupin e dytë, i tha Current Time se “nuk lejuan askënd [nga opozita] të kandidonte, dëbuan vëzhguesit zgjedhorë, kishte qartazi falsifikim të gjerë të votave”.
Gudkov është anëtar i Russian Democratic Forces, një grup opozitar në mërgim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). Ai tha se besonte se së shpejti ajo do t’i shpallte zgjedhjet për Dumën të paligjshme.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tashmë i ka cilësuar ato si të tilla, duke vënë në dukje, ndër të tjera, se votimi u zhvillua edhe në zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
“Zgjedhjet e ashtuquajtura për Dumën shënuan një tjetër goditje të madhe për demokracinë ruse”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale më 21 shtator. “Fasada e demokracisë është e vetmja gjë që ka mbetur në Rusi. Kam propozuar masa kundër atyre që mundësojnë këto zgjedhje farsë në territoret e pushtuara ukrainase.”
Pjesëmarrja u raportua në 59.32 për qind, një rritje krahasuar me vitet e mëparshme, të cilën kryetarja e Komisionit Zgjedhor, Ella Pamfilova, e vuri në pah.
Herën e fundit, në vitin 2021, pjesëmarrja ishte 51.7 për qind, ndërsa në vitin 2011 – kur akuzat për mashtrim zgjedhor çuan në protesta të mëdha të opozitës në Moskë, të cilat u shtypën brutalisht nga forcat e sigurisë – shifra ishte 60.2 për qind.
Megjithatë, besueshmëria e shifrave zyrtare është vënë gjerësisht në pikëpyetje, ndërsa shembuj si Çeçenia – ku udhëheqësi i kahershëm i rajonit, Ramzan Kadyrov, u raportua se kishte marrë 99.85 për qind të votave – shihen si veçanërisht të dukshëm.
“Në Çeçeni, nuk bëhet fjalë as për falsifikim masiv. Askush nuk i numëron fare votat”, i tha Current Time Maksim Glikin, kryeredaktor i botimit në mërgim Mozhem Obyasnit. “Ata thjesht i shkruajnë shifrat e kërkuara dhe i publikojnë.”








