Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë tha se është i gatshëm të mbledhë fletëvotimet, nëse zgjedhjet parlamentare serbe do të mbaheshin edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por për këtë nevojitet miratimi i institucioneve të Kosovës.
Kështu thanë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga OSBE-ja, duke theksuar se për kërkesën e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë tashmë janë njoftuar institucionet përkatëse të Kosovës dhe vendimmarrësit dhe se tani po presin përgjigjen e tyre.
“Misioni është i gatshëm ta zbatojë një operacion të tillë, me të njëjtat kushte si në rastet e mëparshme. Kjo nënkupton miratimin e palëve përkatëse dhe sigurimin e kushteve të nevojshme të sigurisë”, thanë nga OSBE-ja.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më herët i kishte kërkuar OSBE-së që misioni të ofrojë mbështetje në mënyrë që zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Serbisë, që janë caktuar për 25 tetor, të mbahen edhe në Kosovë.








