Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë vijuar sot, në ditën e 110-të, protestën e nisur në kundërshtim me investimin në Zvërnec, e cila më pas vijoi me artikulimin e kërkesave politike.
Qytetarët dhe aktivistët edhe këtë mbrëmje marshuan nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë. Marshimi u shoqërua me thirrje për largimin e qeverisë dhe të kastës politike 30-vjeçare, ndërsa nuk munguan as pankartat me mesazhe drejtuar sistemit të drejtësisë.
“Për një fjalë në shesh, populli arrestohet, kurse bejlerët dhe oligarkët i lini të pasurohen. SPAK, përgatit prangat për këtë pushtet, se populli nuk ndalet, po e mbron këtë shtet!”, shkruhej në njërën prej pankartave.
Nga foltorja e vendosur para Kryeministrisë, një qytetare u shpreh se “nuk kemi shtet”, ndërsa gjatë protestës u paraqitën edhe problematika ekonomike.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj mbajti fjalën e saj në protestën para Kryeministrisë, duke u shprehur se qytetarët janë të vendosur dhe nuk heqin dorë nga revolta.
Protesta, e cilësuar edhe si “Revolucioni i Flamingove”, nisi më 31 maj si reagim ndaj projektit turistik të planifikuar për t’u ndërtuar në Zvërnec. Megjithatë, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë artikuluar tashmë kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.








