AUSTRALIA I SHPALL LUFTË EMIGRACIONIT / VENDI NË KRIZË STREHIMI, QEVERIA MERR MASA

Australia do të shtrëngojë rregullat e imigracionit duke kufizuar praktikën e njohur si “visa hopping”, si dhe duke vendosur masa më të ashpra ndaj studentëve, personave që vijnë me viza “working holiday” dhe atyre që qëndrojnë në vend përtej afatit të lejuar. Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, tha se imigracioni mbetet një forcë e rëndësishme për Australinë, por presioni në tregun e banesave kërkon ndryshime në politikat aktuale. Qeveria mohon se masat janë ndërmarrë si përgjigje ndaj rritjes së mbështetjes për partinë e djathtë “One Nation”, e cila kërkon ulje të ndjeshme të imigracionit. Ndërkohë, grupet e biznesit kanë paralajmëruar se kufizimet mund të kenë pasoja negative për ekonominë. Imigracioni neto arriti kulmin në 538 mijë persona në vitin 2022, pas rihapjes së kufijve pas pandemisë, ndërsa vitin e kaluar ra në 292,100. Studentët përbëjnë grupin më të madh të të ardhurve, me rreth 753 mijë studentë ndërkombëtarë në Australi, kryesisht nga Kina dhe India. Në të njëjtën kohë, emigrantët me aftësi në sektorët e ndërtimit dhe strehimit do të kenë përparësi në marrjen e vizave. Rreth një e treta e popullsisë së Australisë, prej 27.6 milionë banorësh, ka lindur jashtë vendit.

SHARE