Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikën Ekonomike, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe njëherësh lider i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka shprehur besimin se ai do të rrëzohet në vazhdim të procesit gjyqësor.
Ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
“Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë. Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, ka deklaruar Gjeloshaj.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.
“Nuk kam besuar kurrë se një vendim gjyqësor mund të ishte i tillë dhe kaq i padrejtë. Ky është vendim i shkallës së parë dhe procesi gjyqësor nuk ka përfunduar. Besojmë se, deri në përfundimin e plotë të procesit, do të dëshmohet pafajësia e të gjithëve”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se lufta e UÇK-së ishte çlirimtare dhe, siç tha ai, u zhvillua për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës.
“Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet”, deklaroi ai.
Gjeloshaj shtoi se të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare, se nuk janë fshehur dhe nuk kanë ikur, por se do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund.
“Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari, por çdo shqiptar beson edhe në pafajësinë e tyre. Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika”, porositi Gjeloshaj.
Ai iu referua edhe deklaratës së tij të mëparshme për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, duke theksuar se një pjesë e fjalëve të tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit.
“Nuk ia vlen të komentohet nxjerrja e një deklarate sime nga konteksti dhe manipulimi me të. Biseda ishte për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare nga shqiptarët, për dallim nga qëndrimi i palës tjetër. Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë fitoi drejtësia. Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon! ”, deklaroi Gjeloshaj.









