Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi miratoi sot shtatë propozimligje, mes tyre ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal dhe Ligjit për Punët e Brendshme.
Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan me 54 vota, ndërsa Ligji për Punët e Brendshme me 45 vota, pa vota kundër apo abstenime.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë, ndër të tjera, futjen e femicidit si vepër penale, mbrojtje shtesë për mjekët dhe punonjësit shëndetësorë, masa ndaj gjuhës së rëndë të urrejtjes, si dhe rregulla të reja për mbajtjen e pajisjeve elektronike të monitorimit dhe pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, tha se këto ligje janë pjesë e reformave në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa deputetët theksuan rëndësinë e zbatimit të tyre në praktikë.
Kuvendi miratoi gjithashtu ligjet për bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale me vendet anëtare të BE-së, kërkesat teknike për produktet, nëpunësit shtetërorë dhe administratën, ekzekutimin e dënimeve me burgim dhe kundërvajtjet.









