Protestuesit kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u mblodhën para zyrave të EULEX-it në Kosovë, pas dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Protestuesit fillimisht ndoqën seancën gjyqësore në shesh dhe më pas marshuan drejt zyrave të EULEX-it, ku brohoritën emrat e ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë protestës u hodhën shishe dhe gurë drejt njërës prej hyrjeve të zyrave të misionit, por protesta vazhdoi pa incidente të tjera.
Partitë politike në Kosovë kanë bërë thirrje për qetësi dhe maturi pas vendimit të Gjykatës Speciale.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës të Thaçit dhe Veselit e kundërshtuan aktgjykimin dhe paralajmëruan ankesa.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet, për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.








