MILLATOVIQ NË ULQIN: ÇDO FËMIJË DUHET TË KETË SHANSE TË BARABARTA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë vizitës në institucionet arsimore në Ulqin, tha se investimi në arsim duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të shtetit dhe pushtetit lokal, duke theksuar se çdo fëmijë, pavarësisht vendit ku ka lindur, duhet të ketë mundësi të barabarta për sukses.

Millatoviq vizitoi shkollat fillore “Boshko Strugar” dhe “Marshall Tito”, si dhe Shkollën e Mesme të Përzier “Vëllazërim-bashkim”, ku u takua me nxënës, mësues dhe drejtues të institucioneve.

Ai u njoh me projektet e nxënësve, aktivitetet e tyre dhe mënyrën se si teknologjia dhe kreativiteti po integrohen në procesin arsimor, ndërsa me maturantët diskutoi për vazhdimin e shkollimit, orientimin profesional dhe mundësitë për të ardhmen.

“Detyrimi ynë është që çdo fëmije t’i mundësojmë arsim cilësor dhe shans të barabartë për të pasur sukses”, tha Millatoviq, duke shtuar se vendi ku lind një fëmijë nuk duhet të përcaktojë mundësitë që do të ketë gjatë jetës.

Presidenti theksoi se Mali i Zi duhet të krijojë kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen në vend, duke u ofruar arsim cilësor, mundësi të barabarta dhe një shoqëri ku puna, dija dhe talenti vlerësohen.

Ai vlerësoi se Ulqini ka të rinj të talentuar dhe ambiciozë, të cilëve duhet t’u jepet mundësia që idetë e tyre t’i shndërrojnë në sukses.

Gjatë vizitës, Millatoviqin e shoqëroi kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, me bashkëpunëtorët e tij.

SHARE