PRINDËRIT PROTESTOJNË KUNDËR VAKSINIMIT SI KUSHT PËR KOPSHTET, PARALAJMËROJNË EDHE BLLOKIME

Foto: Nikola Saveljić

Sot, para Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi është zhvilluar protesta me moton “Fëmijët kanë të drejtë për kopsht. Prindërit kanë të drejtë të zgjedhin”, ku prindërit kundërshtojnë rregullin që vaksinimi të jetë kusht për qëndrimin e fëmijëve në kopshte.

Protestuesit shprehen kundër masës, e cila sipas tyre u mohon disa fëmijëve të drejtën për të ndjekur kopshtin.

Ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese ta shqyrtojë me kujdes vendimin dhe të marrë parasysh shqetësimet e prindërve.

Prindi Novak Raiçkoviq tha se pret që Gjykata Kushtetuese t’u përgjigjet me përgjegjësi qytetarëve dhe të marrë parasysh qëndrimin e një numri të madh prindërish.

Ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë dhe se po shqyrtohet edhe mundësia e bllokimit të kopshteve.

“Do të vazhdojmë protestat. Meqë kopshtet janë ndërtuar me paratë e prindërve të fëmijëve të vaksinuar dhe të pavaksinuar, po mendojmë edhe t’i bllokojmë kopshtet”, tha Raiçkoviq.

Ndërkohë, një tjetër prind, Nikola Millosheviq, deklaroi se vendimi nuk ka bazë të mjaftueshme, veçanërisht nga aspekti epidemiologjik.

Ai ngriti pyetje lidhur me përgjegjësinë në rast të pasojave të mundshme shëndetësore pas vaksinimit.

Rregulli që fëmijët e pavaksinuar nuk mund të qëndrojnë në kopshte ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2026, ndërsa përjashtim bëjnë fëmijët të cilët, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen.

Për këtë masë janë dorëzuar disa iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, e cila sot po shqyrton kushtetutshmërinë e saj.

SHARE