ZGJEDHJET DHE VONESAT INSTITUCIONALE NË KOSOVË “PENGOJNË AGJENDËN” ME SHBA-në

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, por paralajmërojnë se ngërçi i zgjatur politik po e pengon agjendën e përbashkët mes dy vendeve. Ky pritet të jetë një nga mesazhet kryesore të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Lawton, gjatë dëshmisë së tij më 15 shtator para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në deklaratën e përgatitur për seancën dhe të bërë publike paraprakisht, Lawton përmend zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, periudhën e gjatë me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve si faktorë që kanë penguar avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

“Kemi një agjendë të gjerë bashkëpunimi me Kosovën, e cila, fatkeqësisht, është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, periudha e zgjatur me qeveri në detyrë dhe vonesat në formimin e institucioneve të nevojshme për avancimin e prioriteteve tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.

Uashingtoni, sipas tij, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave. Lawton pritet të thotë se SHBA-ja ka ngritur shqetësime për atë që e përshkruan si “kontroll të tepruar ligjor dhe policor” ndaj popullsisë serbe të Kosovës.

“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të gëzojnë të drejta të barabarta dhe mbrojtje të barabartë nga ligji, nëse Kosova dëshiron ta ruajë stabilitetin”, thuhet në deklaratën e tij. Lawton thekson, gjithashtu, rolin kritik të misionit të NATO-s, KFOR, në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë – mision në të cilin vazhdojnë të kontribuojnë edhe forcat amerikane.

Normalizimin e marrëdhënieve dhe ruajtjen e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Lawton pritet t’i cilësojë si thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, që nga Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë, është bërë “përparim i rëndësishëm”.

Megjithatë, ai vlerëson se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur, për shkak të “vullnetit të pamjaftueshëm politik nga të dyja palët”.

SHBA-ja, sipas deklaratës, vazhdon t’i bëjë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i shmangin provokimet, t’i përmbushin zotimet e tyre dhe t’u rikthehen bisedimeve të drejtpërdrejta pa parakushte.

SHARE