Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të arrijnë një kompromis për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke paralajmëruar se shkuarja sërish në zgjedhje do të ishte e panevojshme dhe në dëm të interesit publik.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet për t’u zgjidhur.
Ai shprehu shqetësim për qëndrimin e disa deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk duan të zbatojnë marrëveshjen politike të arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për kandidatin për president.
Kurti theksoi se Kosova është shumë pranë një zgjidhjeje dhe se do të ishte e papërgjegjshme që vendi të shkonte përsëri në zgjedhje vetëm për të përfunduar sërish në të njëjtën situatë.
Ai u bëri thirrje të gjithë liderëve dhe deputetëve që përmes dialogut të gjejnë kompromis dhe t’i japin vendit presidentin e ri.








