AFD-ja KËRKON ANULIMIN E NJOHJES SË KOSOVËS DHE KUNDËRSHTON ZGJERIMIN E BE-së

Partia e djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka mbajtur prej vitesh një qëndrim të hapur kundër pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga Gjermania, ndërsa kundërshton edhe zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Qëndrimi më i drejtpërdrejtë u shpreh në janar 2023, kur grupi parlamentar i AfD-së e cilësoi njohjen e Kosovës nga Gjermania si “gabim”.

Partia e konsideron të paligjshme ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia, duke kërkuar që Berlini t’i kërkojë falje Serbisë dhe të tërheqë njohjen e Kosovës.

Në një dokument parlamentar të qershorit 2023, të firmosur nga Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, AfD e cilësoi Kosovën si “shtet të rremë” dhe kërkoi që pavarësia e saj të trajtohet si pasojë e një lufte të paligjshme.

Partia ka kërkuar gjithashtu kompetenca ekzekutive për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe një status të veçantë për kishat dhe manastiret serbe në Kosovë, të garantuar nga Kombet e Bashkuara.

Ajo ka kundërshtuar edhe presionin ndaj Serbisë lidhur me Kosovën dhe sanksionet evropiane ndaj Rusisë. Nisma e AfD-së u rrëzua në Bundestag në shtator 2024. Qëndrimi i partisë është ashpërsuar edhe ndaj pranisë gjermane në Kosovë.

Në maj 2023, deputeti Markus Frohnmaier deklaroi se “projekti Kosovë ka dështuar” dhe kërkoi tërheqjen e Gjermanisë nga KFOR-i, largimin e trupave gjermane dhe ndërprerje e ndihmës për Kosovën. AfD kundërshton edhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në dokumentet e saj politike, partia e ka cilësuar zgjerimin me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën si të padobishëm ose jorealist, duke propozuar në vend të anëtarësimit të plotë një partneritet të privilegjuar, sipas modeleve të Zvicrës dhe Norvegjisë.

Një qeveri e drejtuar nga AfD do të përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm në politikën gjermane ndaj Ballkanit.

Për Kosovën, kjo do të nënkuptonte rrezik për mbështetjen politike dhe të sigurisë nga Berlini, ndërsa për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit mund të dobësonte mbështetjen e një prej fuqive kryesore të BE-së për procesin e zgjerimit.

SHARE