Liderët e katër vendeve të grupit të Visegradit – Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia – kanë rikonfirmuar nga Bratislava mbështetjen e tyre për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit.
Në takimin e tyre, mbështetje për zgjerimin shprehu edhe kryeministri irlandez Michael Martin, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së.
Sipas tij, pranimi i anëtarëve të rinj përbën një investim në Evropë dhe në prosperitetin e saj.
Kryeministri sllovak Robert Fico tha se katër vendet e Visegradit kanë qëndrime të ngjashme për procesin e zgjerimit dhe për këtë arsye kjo çështje nuk zuri një pjesë të madhe të diskutimeve.
Ndërkohë, Hungaria vijoi të insistojë që procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit të trajtohet veçmas nga ai i Ukrainës.
Budapesti kundërshton një proces të përshpejtuar të anëtarësimit të Ukrainës në BE.
Këtë javë, Hungaria bllokoi sërish avancimin e bisedimeve të anëtarësimit me Kievin, duke kërkuar garantimin e të drejtave arsimore, kulturore dhe gjuhësore të pakicës hungareze në Ukrainë.
Liderët e vendeve të Visegradit ranë gjithashtu dakord të koordinojnë qëndrimet e tyre përpara çdo takimi të Këshillit Evropian.







