Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të krijojë në Romë një qendër të re të ndihmës teknike për Evropën Juglindore, e cila do të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se Qendra e Ndihmës Teknike për Evropën Juglindore (SEETAC) pritet të nisë punën në javët e ardhshme, me mbështetjen e Italisë, Komisionit Evropian, Greqisë, Luksemburgut dhe vendeve përfituese.
Qendra do të ofrojë këshilla për politikat ekonomike, asistencë teknike dhe zhvillim të kapaciteteve për vendet që janë në procesin e integrimit në BE. Ajo do të plotësojë qendrën ekzistuese të FMN-së në Vjenë, e cila ofron trajnime për një sërë vendesh, përfshirë Ukrainën.
Georgieva tha se anëtarësimi në BE mund të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për vendet kandidate.
Sipas saj, për Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimi mund të rrisë PBB-në për frymë me rreth 47 për qind brenda 15 vitesh, ndërsa vendet aktuale anëtare të BE-së mund të përfitojnë rreth 13 për qind.
Megjithatë, ajo theksoi se këto përfitime nuk vijnë automatikisht. Rritja ekonomike dhe përmirësimi i standardeve të jetesës varen nga reformat e brendshme, investimet, inovacioni, konkurrenca dhe rritja e produktivitetit.
Sipas Georgievës, zgjerimi i BE-së do të ishte në interes jo vetëm të vendeve kandidate, por edhe të anëtarëve aktualë, në një kohë kur Evropa përballet me presione demografike dhe fiskale, tensione gjeopolitike dhe një rritje më të dobët të ekonomisë globale.
Ajo vlerësoi se zgjerimi është rikthyer në krye të agjendës evropiane dhe mund të shërbejë si një nxitje e ëndësishme për rritjen ekonomike në të gjithë kontinentin.







