Komisioni Evropian ka miratuar 6.1 miliardë euro shtesë për Ukrainën, të destinuara për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe antiraketore, municioneve, dronëve dhe pajisjeve për luftë elektronike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se fondet do t’i mundësojnë Ukrainës, ndër të tjera, blerjen e pajisjeve për sistemet Patriot, për të forcuar mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore ndaj sulmeve ruse.
Paketa financohet përmes Kredisë për Mbështetjen e Ukrainës prej 90 miliardë eurosh, e cila për periudhën 2026–2027 parashikon 30 miliardë euro për mbështetje buxhetore dhe 60 miliardë euro për mbrojtjen.
Me këtë vendim, 28.3 miliardë euro të parashikuara për mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës gjatë këtij viti janë tashmë të alokuara plotësisht.
Komisioni ka bërë të ditur se këtë vit ka paguar tashmë 8.35 miliardë euro për mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa fonde të tjera pritet të disbursohen së shpejti.
Pjesë e paketës është edhe mundësia për blerjen e raketave PAC-3 për sistemet Patriot, si dhe pajisjeve të prodhuara në Ukrainë dhe në vendet e BE-së.







