PËRUROHET PARKU I ERËS NË KOSOVË, KURTI: FURNIZON 45 MIJË FAMILJE

Në Kosovë është përuruar nisja e punës së parkut të prodhimit të energjisë nga era, i vendosur në zonën e Zatriqit në Rahovec.

Bëhet fjalë për një investim privat me vlerë 106 milionë euro, ndërsa parku ka kapacitet të instaluar prej 73.2 megavatësh dhe pritet të prodhojë rreth 185 gigavat-orë energji elektrike në vit. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se prodhimi nga ky park do të mbulojë nevojat vjetore për energji të rreth 45 mijë familjeve.

“Me këtë park të ri të erës, po shtojmë një tjetër gur në themelet e një të ardhmeje energjetike më të pastër, më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Kosovë. Me 12 turbina, secila me kapacitet prej 6.1 megavatësh, ky park është një investim shumë i rëndësishëm në teknologjinë moderne dhe në kapacitetet tona të reja energjetike. Nga ky kapacitet vendi ynë pritet të kursejë mbi 27 milionë euro në vit”, deklaroi Kurti.

Megjithatë, burimi kryesor i energjisë në Kosovë vazhdon të mbetet prodhimi nga termocentralet me qymyr, ndërsa investimet në energjinë e rinovueshme synojnë të rrisin diversifikimin e burimeve energjetike.

SHARE