Kosova ka përsëritur kërkesën ndaj Bashkimit Evropian që blloku 27-anëtarësh të shqyrtojë aplikimin për statusin e kandidatit.
Në takimin e përbashkët ministror BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Irlandë, Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me BE-në, kërkoi hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Prishtinës dhe Brukselit, duke theksuar se Kosova është i vetmi vend që nuk e ka këtë status.
Mungesën e reagimit nga Brukseli, Zulfaj e cilësoi si mangësi të institucioneve evropiane.
“Nuk është mesazh i mirë dhe tregon mungesë të lidershipit në BE dhe mendoj që kjo është përgjegjësi e përbashkët. BE-ja duhet ta bëjë pjesën e saj dhe arritja e konsensusit brenda bllokut duhet të jetë përgjegjësi e BE-së. Çdo vend, i madh apo i vogël, duhet ta ndjejë urgjencën për unitet brenda BE-së”, ka theksuar Zylfaj.
Ndryshe, takimi në Irlandë është fokusuar në reformat në procesin e zgjerimit. Ai mbahet në prag të paralajmërimit se Komisioni Evropian do të dalë me propozime të reja, përfshirë edhe mekanizmat mbrojtës në traktatet e anëtarësimit me anëtarët e ardhshëm.
“Nuk bëhet fjalë për anëtarësim të një niveli të dytë. Kjo do të thotë se mund të bëhesh anëtar vetëm pasi të kesh përmbushur të gjitha kriteret. Por, për sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian, masat mbrojtëse nuk janë diçka e re. Ne i kemi pasur gjithmonë edhe në të kaluarën”, ka theksuar Marta Kos komesare për zgjerim.
E tërë vjeshta e sivjetme do të jetë në shenjë të reformave në procesin e zgjerimit. Debati mbi këtë temë do të jetë temë qendrore në takimin e liderëve evropianë gjatë muajit tetor.









