Të rinjtë obezë rrezikojnë të vdesin më herët sipas një studimi të fundit, të realizuar nga ekspertë danezë.
Hulumtimi i tyre tregon se çdo pikë shtesë në indeksin e masës trupore (BMI) lidhet me një rritje të rrezikut për infarkt, tension të lartë të gjakut, tromboza dhe diabet. Mbipesha lidhet gjithashtu me një rrezik më të lartë për zhvillimin e disa llojeve të kancerit. Meshkujt që janë obezë në të njëzetat, theksojnë ekspertët, kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin para moshës 55 vjeç, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre me peshë normale.
Studimi është kryer në një periudhë afatgjatë dhe ka ndjekur për rreth 33 vjet ecurinë e 6,500 burrave danezë. Në fillim të studimit, pjesëmarrësit ishin 22 vjeç. Rreth 1.5% e tyre, ose 97 persona, ishin obezë, me një indeks të masës trupore-BMI, 30 ose më të lartë.
Deri në moshën 55 vjeç, pothuajse gjysma e pjesëmarrësve që ishin mbipeshë, u diagnostikuan me diabet të tipit 2, sëmundje kardiovaskulare ose tension të lartë të gjakut. Gjatë periudhës së ndjekjes së situatës së tyre, disa prej pjesëmarrësve pësuan infarkt ose hemorragji cerebrale, ndërsa të tjerë zhvilluan tromboza në këmbë ose në mushkëri. Disa prej tyre humbën edhe jetën.
Studiuesit danezë konstatuan se çdo pikë shtesë në BMI lidhej me një rritje prej 5% të rrezikut për infarkt. Rreziku për tension të lartë të gjakut dhe tromboza rritej me 10%, ndërsa ai për diabet me 20%. Mbipesha dhe obeziteti lidhen me një sërë problemesh shëndetësore.
Përveç sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, ato mund të shoqërohen edhe me çrregullime të sistemit gastrointestinal, probleme ortopedike, dhimbje kronike të kokës dhe depresion, ndërsa lidhen gjithashtu me rrezik më të lartë për zhvillimin e llojeve të caktuara të kancerit.









