BE KËRKON FORMIMIN E KQZ-së, KUVENDI NIS PROCEDURËN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupstina Crne Gore

Komisioni Administrativ i Kuvendit të Malit të Zi ka nisur procedurën për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përmes shpalljes së një thirrjeje publike për organizatat joqeveritare.

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, ka kërkuar që formimi i KQZ-së të bëhet shpejt dhe me mbështetjen më të gjerë politike.

Procesi ka muaj që është në ngërç, pasi pesë konkurse publike kanë përfunduar pa një listë kandidatësh.

Zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa ndryshimet ligjore të miratuara së fundmi synojnë transformimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në një KQZ profesionale dhe të depolitizuar.

Ndërkohë, KQZ-ja ndodhet në një bllokadë institucionale pasi kryetari i saj, Nikolla Mugosha, është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Si pasojë, në rast të zgjedhjeve të parakohshme, aktualisht nuk ekziston një institucion funksional që mund të organizojë procesin zgjedhor.

SHARE