KURTI: MARRËVESHJA PËR PRESIDENTIN ME LDK-në QËNDRON

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja me LDK-në për zgjedhjen e presidentit mbetet në fuqi, pavarësisht kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Kurti tha se 53 deputetët e LVV-së e mbështesin marrëveshjen, por theksoi se pas zhvillimeve të reja do të nevojiten takime të tjera me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe strukturat e partisë.

Nga ana tjetër, Abdixhiku bëri të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri – nuk do ta votojnë Sejdiun. Ai paralajmëroi se kjo mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.

LDK-ja ka 18 deputetë, por Abdixhiku tha se vetëm 12 prej tyre janë të gatshëm të marrin pjesë në votim, çka e bën të pamundur arritjen e kuorumit pa mbështetjen e partive të tjera.

Gjashtë deputetët kundërshtues kanë deklaruar se nuk duan të votojnë një marrëveshje që, sipas tyre, do t’i zgjaste pushtetin Kurtit.

Ndërsa LVV dhe LDK e kishin prezantuar Sejdiun si kandidat të përbashkët më 31 gusht, me synimin për t’i dhënë fund krizës institucionale.

Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare, për herë të katërt brenda një periudhe të shkurtër.

SHARE